Ballina / Opi / Int / Si lexohet vota Pro Tramp?
auto_blendi_fevziu1431370126

Si lexohet vota Pro Tramp?

Ndodhi ajo që e besohej më së pakti. Donald Tramp është Presidenti i zgjedhur i SHBA dhe në Janar ai pritet të betohet si Kreu i 45 – të i Shtëpisë së Bardhë.

Triumfues i një fushate të lodhshme, të ndryshme nga gjithë të tjerat dhe tejet polarizuese, Tramp ka tronditur jo vetëm një pjesë të elitave amerikane, por edhe më gjerë. Zgjedhja dhe triumfi i tij, kanë sjellë në vemëndje disa probleme thelbësore dhe kanë ngritur disa pikëpyetje.

E para, fitorja e Tramp është sinjali më domethënës i krizës që ka mbërthyer kastat politike dhe vetë politikanët në botë. Vota pro tij, ishte më shumë një votë kundër stato kuosë politike amerikane, kundër dominimit të saj për një kohë të gjatë nga filozofia e Klintonve, kundër paaftësisë për të nxjerrë figura të reja dhe jashtë dominimit të një kaste politike.

Vota pro Tramp konfirmoi krizën në të cilën kanë rënë politikanët në Europë e tashmë edhe në SHBA. Mosbesimin ndaj tyre dhe apelin për një formë të re dhe të ndryshme të administrimit të pushtetit.

Në SHBA, ndodhi ajo që kishte ndodhur më parë në Itali me Berluskonin, në Greqi me Ciprasin, në Britani me Brexit. Ajo që rrezikon të ndodhë në Spanjë me Podemosin, në Francë me Frontin Nacional dhe në vende të tjera me formacione ekstremiste. Ndodhi konfirmimi i një krize që refuzojmë ta pranojmë prej më shumë se një dekade.

E dyta, fitorja e Tramp ishte dështimi i elitave dhe mediave amerikane. Pjesa më e madhe e nobelistëve, figurave intelektuale, ikonave mediatike, artistëve, sportistëve dhe biznesmënëve të njohur u rreshtuan publikisht kundër tij. Popullariteti i tyre nuk luajti asnjë rol në votën e amerikanëve, duke venë në pikëpyetje rolin që ata luajnë sot.

Mediat më të mëdha amerikane po ashtu u rreshtuan qartë. Shumë prej tyre shkelën traditën shekullore të neutralitetit, duke ju bërë thirrje qytetarëve të votojnë kundër Tramp. Ky dështim, reflekton edhe një sistem të ri infomimi dhe opinioni, ku rrjetet sociale dhe mediat on line, po fitojnë gjithnjë e më shumë ndikim.

Së treti, fitorja e Tramp ishte një goditje për Bashkimin Europian dhe vetë Europën tradicionale politike. Klasa politike europiane edhe pse e matur ishte hapur kundër Tramp. Tani fitorja e Tramp, më shumë se Amerikën, do të verë në pikëpyetje raportet gjeopolitike botërore. Që në fjalimin e parë si president i zgjedhur, Tramp siguroi se amerika do jetë sërish e unifikuar dhe një vend i vlerave të mëdha. Automekanizmi që korrigjon çdo President në momentin që zgjidhet do funksionojë edhe këtë rradhë.

Ajo që nuk dihet është raporti që Tramp do të vendosë me Rusinë, Kinën dhe Indinë. Nuk dihet se cili do mbetet roli i NATO -s dhe se si do jenë raportet e mëtejshme amerikane me Europën. Raporte të vështira në kohën e Bush, por që ishin modifikuar në momentin e ardhjes në pushtet të Obamës.

Pavarësisht kësaj, Tramp do mbahet mend si një kandidat që fitoi i vetëm thuajse kundër të gjithëve. Kundër partisë së tij, kundër ish presidentëve republikanë që u deklaruan kundër tij, kundër Presidentit në fuqi që u bë pjesë aktive e fushatës, kundër liderëve botërorë, kundër mediave, kundër elitave. Ai diti të lexojë pritshmëritë e elektoratit dhe i dha atij atë që donte të dëgjonte.

Për këtë, ai shfrytëzoi leksionin e parë të demokracisë në botë dhe asaj amerikane në veçanti: Vota është e gjithsecilit dhe vota është e barabartë. Ai i dha vlerë votës së çdi qytetari, që sot, pati të njëjtën vlerë sa ajo e një nobelisti, një ikone mediatike, një miliarderi apo një artisti të famshëm. Amerikanët zgjodhën dhe në fund të fundit kjo është zgjedhja e tyre. Por një zgjedhje nga e cila duhet të reflektojnë të gjithë.

Autor: Blendi Fevziu
Botuar në Opinion

- Lajme

Infosite është portal informativ dhe është dritarja ku ju do të keni mundësi të njiheni me informacione të fushave të ndryshme.

Shiko

z_1479551304-4260437

Trump, Evropa, Shqipëria, Kosova

Deri ditën e zgjedhjeve amerikane, ndonëse parashikimet jepnin si fituese Hilary Clinton, prapë kishte tërhequr …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

lajme.infosite.allajme.infosite.co