Ballina / Kosova / Ekonomi / Buxheti i vitit të ardhshëm kritikohet nga të dyja – pozita dhe opozita
euro-money-notes

Buxheti i vitit të ardhshëm kritikohet nga të dyja – pozita dhe opozita

Buxheti për vitin e ardhshëm nuk përmirëson gjendjen sociale dhe ekonomike. Sipas përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës, ky buxhet nuk reflekton në përmirësimin e përformancës së institucioneve por është vetëm një dëshirë për të ngritur shpenzimet e Qeverisë së Kosovës.

Besnik Bislimi, nga Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se buxheti për vitin e ardhshëm nuk ka ndonjë dallim të madh me atë këtij viti.

“Është një buxhet të cilit i mungon në tërësi kreativiteti dhe i mungon komponenta kontributdhënëse në arritjen e synimit për më shumë rritje ekonomike dhe më shumë vende të punës. Në fakt e vetmja pikë ku zyrtarët qeveritarë janë ndalur në vazhdimësi ka qenë dëshira e tyre për të prezantuar një buxhet në nivelin e 2 miliardëve, por ajo që ata po ngurrojnë ta thonë është se ky buxhet 2 miliardësh nuk reflekton në përmirësim të performancës së institucioneve të involvuara në grumbullimin e të hyrave, por vetëm dëshirën e flaktë për të ngritur shpenzimet. Kjo më shumë duket si tendencë për të rritur numrin e projekteve përmes të cilave edhe mund të rriten mundësitë për veprimtari korruptive të zyrtarëve të lartë”, ta Bislimi, përmes përgjigjeve elektronike.

Ai ka shprehur po ashtu shqetësimin e tij se të hyrat tatimore vazhdojnë në fakt të grumbullohen në pikat doganore që përbën shqetësim në vete, meqë një sistem i tillë fiskal nuk garanton qëndrueshmëri afatgjate.

Shukri Buja, anëtar i Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, nga PDK-ja, ka thënë se buxheti ka vërejtje sidomos tek ndarja buxhetore për veteranët.

“Realisht projektbuxheti i Qeverisë ka shumë të meta të cilat i kam thënë edhe publikisht, edhe brenda këtyre vërejtjeve që kam marrë ka ende shtesë, por ato që e kemi dhënë vërejtje kapitale janë çështja e kategorive të luftës apo e veteranëve që është obligim ligjor i Qeverisë për me përmbushë. Ligjin nuk mund ta ndryshoj Qeveria por e ndryshon parlamenti, dhe Qeveria e ka obligim ligjor që të parashikoj mjete për pagat e veteranëve. Buxheti zakonisht bëhet për të mirën e qytetarëve dhe jo për të ngarkuar qytetarët dhe bizneset. Sigurisht qytetarët kanë më pa vitin e ardhshëm shumë më aktive policinë për t’i dënuar, aktiv inspektorët e tatimeve për t’i dënuar bizneset, kanë mu pa shumë aktiv njerëzit nëpër komuna për të kërkuar taksa, thjesht ka me qenë një presion mbi qytetarët për të mbush buxhetin mbi 2 miliardë, dhe kjo është shumë jo e mirë për Kosovën”, tha Buja.

Kurse, kryetari i Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, nga LDK-ja, Naser Osmani, ka thënë për KosovaPress, se komisioni do të trajtojë në mënyrë të duhur këtë projektligj.

“Komisioni për Buxhet dhe Financa do ta trajtoj në mënyrën e duhur…Besojmë pasi të kaloj në Kuvend. Më në fund kemi një buxhet prej 2 miliardë e 1 milion euro të shpenzimeve, kuptohet që të hyrat janë në shifra më të vogla, janë 1 miliard e 725 milionë euro dhe është një deficit prej 275 milionë euro. Ne do të kërkojmë prej ministrit që të na informojë në detaje edhe të informohem edhe kur të vije drafti në parlament. Ajo çka për neve është e rëndësishme është që të arsyetohet mbulimi i deficitit, duke pasur parash që ne kemi informacione që ky deficit do të mbulohet edhe nga mjetet që janë paraparë në marrëveshje me FMN-në, edhe mjetet që llogaritet të inkasohen nga AKP-ja, dividenta dhe disa mjete të tjera të cilat ishte dashur që ta mbulojnë këtë deficit”, tha Osmani.

Ndryshe, Qeveria në projekt buxhetin e viti të ardhshme parasheh një buxhet më të lartë që nga paslufta mbi 2 miliardë euro. Nëse krahasohet me buxhetin e vitit 2016, ka një rritje për 6 për qind apo rreth 400 milionë euro më i lartë që ishte një miliard e 598 milionë euro. Me rritjen e buxhetit për vitin e ardhshëm, Qeveria synon të arrijë rritjen ekonomike për 4.4 për qind, ndërsa, këtë vit pret të përmbyll vitin me normën e rritjes ekonomike 4 për qind. //kp/

- Lajme

Lajme
Infosite është portal informativ dhe është dritarja ku ju do të keni mundësi të njiheni me informacione të fushave të ndryshme.

Shiko

BALLINA

Dogana e Kosovës parandalon kontrabandën prej 7 ton duhan të papërpunuar (FOTO)

Njësitë e Doganës së Kosovës në bashkëpunim me njësitë policore në rajonin e Ferizajt, në …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

lajme.infosite.allajme.infosite.co